Konfigurimi i website-it mund të jetë i shpejtë dhe i thjeshtë, por duhet të merrni parasysh faktorë të tjerë për t'u siguruar që ai të jetë i lehtë për t’u gjetur dhe naviguar, si dhe të jetë i aksesueshëm për të gjithë.
Për fat të mirë, duke ndjekur praktikat e thjeshta të mira (dhe me pak ndihmë nga disa mjete ekspertësh), optimizimi i sajtit tuaj nuk ka pse të jetë një punë e vështirë.
Këtu jepen disa mënyra të thjeshta për të përfituar më shumë nga website-i juaj.
1. Krijoni hartën e sajtit
Vendi se ku një motor kërkimi si "Google" zgjedh ta pozicionojë website-in tuaj në faqen e rezultateve të motorit të tij të kërkimit (SERP) do të ketë një ndikim shumë të madh në numrin e vizitorëve në website-in tuaj. Sajtet në faqen e parë SERP marrin 71% të të gjithë trafikut. Hapi i parë për të mësuar se si ta përmirësoni renditjen tuaj është të kuptoni se si renditet website-i juaj nga një motor kërkimi.
Në thelb, optimizimi i motorit të kërkimit (SEO) ka të bëjë me arritjen në krye të SERP. Ka ndryshime të vogla që mund të bëjnë dallimin në renditjen tuaj, si krijimi i një harte sajti për website-in tuaj.
Çfarë është harta e sajtit?
Çelësi është te fjala "hartë". Në mënyrë që "Google" të dallojë praninë e website-it tuaj, ky i fundit duhet të indeksohet. Në mënyrë që "Google" ta indeksojë me sukses website-in tuaj, ai duhet të kontrollojë të gjitha faqet dhe lidhjet e sajtit tuaj. Pra, harta e sajtit është në thelb një hartë që udhëzon "Google" në sajtin tuaj, duke e ndihmuar të kryejë punën e vet dhe, si rrjedhojë, shton probabilitetin që ta rendisë website-in tuaj më lart në rezultatet e kërkimit. Hartat e sajtit mund të krijohen me lehtësi:
Nëse jeni duke përdorur "Wordpress", "Yoast" është një modul falas që jo vetëm gjeneron harta sajti, por ka edhe mjete të tjera të dobishme për SEO, të cilat e bëjnë sajtin tuaj të duket më tërheqës për motorët e kërkimit.
Nëse jeni duke përdorur një sistem tjetër menaxhimi të përmbajtjes (CMS), mund të përdorni edhe https://www.xml-sitemaps.com/, i cili është një mjet tjetër fantastik falas.
Hapi i fundit është t'i jepni "Google" një shtysë për t'i treguar se harta e sajtit tuaj është gati – thjesht shkoni te konsola e kërkimit të "Google", hapni "Hartat e sajteve" në shiritin anësor majtas dhe ngjitni hartën e sajtit tuaj në fushën e dorëzimit.
Për më shumë këshilla rreth renditjes, shihni blogun tonë mbi spikatjen nga turma.
2. Bëjeni të aksesueshëm për të gjithë
Me një grup kaq të larmishëm njerëzish që përdorin internetin dhe shumë pajisje të ndryshme që përdoren për të vizituar sajtet, është e rëndësishme që ta bëni sajtin tuaj sa më të aksesueshëm që të jetë e mundur. Për shembull, kur një person me vështirësi shikimi viziton website-in tuaj, a ka ai akses në mjete si lexuesi i ekranit apo opsioni tekst-në-ligjërim? Kur dikush viziton website-in tuaj nga një tablet, a duken gjithsesi mirë imazhet dhe a mund të lexohet teksti?
Këtu jepen disa gjëra që duhet të kini parasysh:
Thjeshtoni zgjedhjet e fjalëve dhe shkurtoni fjalitë për të lehtësuar leximin e përmbajtjes tuaj
Futni "etiketa teksti alternativ (alt)" në videot dhe imazhet tuaja, në mënyrë që personat me vështirësi shikimi (ose personat me shpejtësi të ulëta interneti) të mund të lexojnë përshkrimin e medias.
Merrni parasysh opsionet e audios për të ndihmuar personat që nuk mund të lexojnë dhe përfshini titra në të gjitha videot tuaja për individët me vështirësi dëgjimi.
Përdorni dizajn reagues që funksionon në të gjitha pajisjet. Llojet e laptopëve, telefonave dhe tabletëve janë të larmishme dhe përmbajtja juaj duhet të zvogëlohet, të zgjerohet dhe të përshtatet për t'u parë me lehtësi në çdo pajisje.
Duhet të merrni parasysh shumë faktorë gjatë optimizimit të sajtit tuaj. Por do të habiteshit se sa larg mund të arrini me vetëm pak kërkim dhe disa mjete bazë.
Për më shumë udhëzime se si ta kaloni website-in në nivelin tjetër, kontaktoni me një nga këshilluesit tanë.