Nëse jeni një shitës i vogël me pakicë ose një biznes i ri në industrinë e shërbimit, prania juaj dixhitale përpara pandemisë mund të mos ketë qenë përparësia juaj kryesore. Tani që ngjarjet e këtij viti treguan se marketingu në internet është çelësi për të arritur dhe për t'u angazhuar me audiencën e synuar, do të duhet t'i informoni se jeni gati për biznes.
Për të krijuar prani dixhitale, duhet të përdorni kanale të ndryshme në internet (përveç uebsajtit tuaj) për t'u lidhur me klientët tuaj dhe për të tërhequr klientë të rinj.
Ky artikull paraqet pesë temat kryesore që do t'ju nevojiten për të filluar.
1. Kuptoni mediat sociale
Ne ndihemi mirë kur postimet tona në mediat sociale personale marrin disa pëlqime. Mirëpo në biznes, ato vlejnë më shumë se vetëm një buzëqeshje. Çdo pëlqim, ndarje dhe koment përhap informacion për kompaninë tuaj – çka sjell vlerë të shtuar.
Nëse dëshironi që prania juaj në media sociale të fitojë vëmendje, duhet të analizoni audiencën tuaj: Kush janë? Ku ndodhen? Çfarë temash u interesojnë? Merrni kohën që ju nevojitet për të krijuar përmbajtje cilësore që tërheq vëmendjen e klientëve tuaj të mundshëm.
Gjithashtu, zgjidhini kanalet sociale me kujdes. Nëse po përpiqeni të tërhiqni vëmendjen e profesionistëve, regjistrohuni në "LinkedIn". Nëse produktet/shërbimet tuaja janë pamore, "Instagram" ose "Pinterest" janë sajtet e përkryera për t'i shfaqur ato. Mendoni për objektivat e biznesit tuaj dhe lidhini ato me kanalin e duhur.
Këtu jepen disa gjëra që duhet të kini parasysh ndërsa planifikoni strategjinë e mediave sociale:
Mos bëni shumë gjëra njëherësh – është më mirë të përdorni një kanal saktë sesa tre gabim.
Krijoni markën tuaj siç duhet dhe sigurohuni që biografitë të jenë të sakta dhe fotografitë e profilit të përkojnë me specifikimet e përmasave të secilës platformë sociale.
Kuptoni synimet tuaja dhe planifikoni treguesit kryesorë të performancës kundrejt tyre.
2. Po mendoni të reklamoni?
Reklama në ekran është ekuivalenti virtual i një stende afishimi ose posteri në autobus – është mënyra dixhitale për ta përhapur emrin tuaj në internet dhe për të tërhequr interesin për biznesin tuaj.
Ne i shtjellojmë mënyrat e reklamave në ekran këtu, por më poshtë do të gjeni disa këshilla për të filluar:
Zgjidhni platformën tuaj më të mirë: Nëse përdorni platformën origjinale të reklamave të një sajti të mediave sociale ose ofertoni nëpërmjet "Google AdSense", duhet të konsideroni si kufizimet e buxhetit, ashtu edhe nivelin e kompleksitetit. Për ta zotëruar këtë, mund t'ju duhet të kontraktoni persona nga jashtë, por…
Mos u hutoni: Opsionet e segmentimit janë shumë të mëdha, por me pak informacion mund të synoni individë me saktësi të pashembullt.
Përshtatni krijimtarinë me synimin tuaj: Videot janë një mënyrë e shkëlqyer për angazhim, por mund të mos marrin të njëjtin numër klikimesh si një përmbajtje statike me lidhje të qartë në sajtin tuaj.
Përdorini të dhënat në mënyrë inteligjente: Analizat që ofrojnë këto platforma bëjnë një dallim të madh në reklamim – kryeni eksperimente, testoni gjërat që funksionojnë dhe dyfishoni suksesin.
3. Bëhuni një mjeshtër i SEO
Keni përfunduar tre hapat për krijimin e një uebsajti; tani duhet t’i ndihmoni njerëzit që ta gjejnë atë. Duhet të zbërtheni optimizimin e motorit të kërkimit (SEO).
Kemi shkruar në detaj rreth SEO-s në artikullin tonë për spikatjen nga turma, por shkurtimisht: duke shpenzuar kohë për strategjinë e SEO-s, biznesi përfiton trafik "organik" nga motorët e kërkimit si "Google", pa qenë nevoja e investimit në reklama.
4. Hapat e parë në SEM
Megjithëse marketingu në motorët e kërkimit (SEM) duket i ngjashëm me SEO-n, zakonisht ai zbatohet vetëm për pjesën e financuar të aktivitetit në motorin e kërkimit. Kjo përfshin blerjen e reklamave "paguaj për klikim" (PPC), të cilat mund t'i shihni në faqet e rezultateve të motorit të kërkimit. Mund të lexoni më shumë për SEM këtu, por para se të filloni, mos harroni:
Bëni kërkime për fjalët kyçe: PPC funksionon duke ofertuar për fjalët kyçe që përdoruesit shkruajnë në shiritat e kërkimit, ndaj bëni kërkime për të kuptuar se cilat fjalë do të përdorte zakonisht audienca juaj.
Filloni me pak: E bukura e PPC-së është që nuk është nevoja ta përshkallëzoni derisa të jeni gati – eksperimentoni me shpenzime të vogla dhe rriteni buxhetin ndërsa filloni të shikoni rezultate.
Shikoni të dhënat: SEM ju ofron një sërë analizash, ndaj shfrytëzojini të dhënat dhe llogarisni numrat që janë të rëndësishëm për ju.
5. Mos harroni emailin
Nga promocionet e ofertave deri te buletinët informativë, emaili mbetet një mënyrë e besueshme dhe e qëndrueshme për të arritur te klientët. Mund të jetë kanali më i vjetër, por është shumë i gjithanshëm dhe nuk duhet të nënvlerësohet.
Mjetet e marketingut me email si "Mailchimp" ju lejojnë të integroni formularë regjistrimi në uebsajtin tuaj, të cilët mund t'i përdorni për të marrë të dhënat e kontaktit të klientëve për arsye të ndryshme (për shembull, për t'u kërkuar klientëve adresën e emailit në këmbim të përmbajtjeve që ata duan të lexojnë).
Mos harroni: kur një klient ju jep adresën e emailit, ai ju beson të dhënat e tij personale, të cilat mund t'i mblidhni, përdorni, ruani dhe ndani vetëm në përputhje me ligjet për mbrojtjen e të dhënave të zbatueshme për biznesin tuaj. Gjatë përpunimit të këtyre të dhënave personale për qëllime marketingu, është gjithashtu kritike të respektoni ligjet dhe rregulloret përkatëse për komunikimet elektronike. Duhet të merrni këshilla ligjore për të siguruar se praktikat e mbrojtjes së të dhënave dhe marketingut të biznesit tuaj përputhen me ligjin.
Pasi ta keni gati listën e marrësve, përdorni këto këshilla për t'i mbajtur emailet angazhuese:
Planifikojini emailet paraprakisht, duke pasur kujdes që të mos dërgoni shumë te një person.
Shfaqeni markën në emaile në mënyrë të vazhdueshme dhe sigurohuni që secili prej tyre ta përcjellë mesazhin tuaj në mënyrë efikase.
Shkruani subjekte të shkurtra dhe tërheqëse në mënyrë që emailet të hapen dhe jo të fshihen.
Përdorni imazhe për t'i dhënë jetë komunikimit.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut për promovimin e pranisë suaj dixhitale. Duke u angazhuar në këto pesë fusha, do të jeni në rrugën e duhur drejt marketingut dixhital.
Për më shumë suport, mund të flisni edhe me një nga këshilluesit tanë të biznesit në telefon ose nëpërmjet bisedës në ueb.